Aksident tragjik në Greqi, humbin jetën nënë e bir shqiptarë pas përplasjes me kamion

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën dy shtetasve shqiptarë mëngjesin e së premtes në Greqi. Ngjarja ndodhi në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit, në Bashkinë e Amfipolis, rajoni i Serres.
Sipas mediave greke, një automjet është përplasur kokë më kokë me një kamion, në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.
Si pasojë e përplasjes së fortë, humbën jetën një grua shqiptare 43-vjeçare dhe djali i saj 24-vjeçar. Sipas raportimit të ERT, 24-vjeçari ishte në timon, ndërsa nëna e tij udhëtonte në sediljen e pasagjerit.
Ndërkohë, drejtuesi 56-vjeçar i kamionit mbeti i plagosur dhe u transportua me autoambulancë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë menjëherë forcat e Policisë Greke, shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës EKAB. Për shkak të aksidentit, trafiku në zonë u rëndua përkohësisht, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të përplasjes vijojnë.




