I shumëkërkuari nga Fieri kapet në një vilë në Palasë, arrestohet pas dy vitesh në kërkim
Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vila”, gjatë të cilit është kapur dhe arrestuar një 50-vjeçar me origjinë nga Fieri, i shpallur në kërkim nga autoritetet për veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tij, strukturat policore organizuan ndërhyrjen në një vilë në Palasë, ku lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Renaldo Nallbani, 50 vjeç, lindur në Fier.
50-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi në korrik 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Nallbani, dyshohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Pas arrestimit, 50-vjeçari do t’u dorëzohet autoriteteve kompetente për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Operacioni “Vila” është pjesë e aksioneve të vazhdueshme të Policisë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.




