Arrestohet në Levan i dyshuari për vrasjen e 20-vjeçarit francez në Ksamil
FIER – Pamje ekskluzive të siguruara nga FieriWeb kanë dokumentuar momentin e arrestimit të 29-vjeçarit Sokrat Vata, nga Hasi, i dyshuar për vrasjen e një 20-vjeçari francez në Ksamil.
Sipas informacioneve, Vata u ndalua në Levan të Fierit, disa orë pas ngjarjes, gjatë një operacioni të zhvilluar nga forcat “Shqiponja” dhe strukturat operacionale të Policisë së Shtetit. Dyshohet se ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti për t’iu shmangur arrestimit.
Automjeti drejtohej nga një grua, ndërsa në të ndodhej edhe një shtetas rreth 35 vjeç. Të tre personat janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin e ndërhyrjes së policisë dhe arrestimit të të dyshuarit, në një operacion të shpejtë dhe të koordinuar.




