Patos, banorët sërish në protestë kundër shkrirjes së bashkisë me Fierin

Banorët e Patosit janë ngritur paraditen e sotme për të dytën herë në protestë, duke kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, ku parashikohet shkrirja e Bashkisë Patos dhe bashkimi i saj me Bashkinë Fier.
Me pankarta në duar dhe përmes fjalimeve, protestuesit i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të rishikojë këtë propozim. Ata theksuan se Patosi është një qytet me identitet dhe histori të veçantë, ndërsa sipas tyre Bashkia Patos renditet ndër bashkitë me performancën më të mirë në vend.
Një prej protestuesve, një ish-naftëtar, solli në vëmendje kontributin e naftëtarëve në zhvillimin e qytetit.
“Unë jam naftëtar i vjetër. E kemi bërë me kontribut vullnetar këtë Patos. Spitali, ambulanca, shkolla janë bërë me kontribut vullnetar. Kemi punuar 8 orë në naftë dhe ktheheshim këtu.”
Banorët i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë komunitetin dhe veçanërisht naftëtarët.
“I bëjmë thirrje Ramës të bisedojë me naftëtarët, të marrë mendimin e tyre. Është krim të shkrihet Bashkia e Patosit. I themi jo reformës së bërë nga Partia Socialiste”, u shprehën disa prej tyre.
Protestuesit shprehen se bashkimi me Fierin mund të sjellë humbjen ose largimin e shërbimeve dhe institucioneve lokale, duke vështirësuar jetën e përditshme të banorëve dhe duke rrezikuar vende pune.
“Nëse mbyllet bashkia, shkurtimi i fuqisë punëtore do të bëhet me 50%. Sa më e vogël të jetë bashkia, aq më shumë organizim dhe kërkesë llogarie ka. Kontrollon çdo gjë.”
“Sa më afër bashkia dhe komuna, aq më të zgjidhshme janë problemet. Neve nuk na mposhtin.”
Ndërsa një tjetër protestues e cilësoi Bashkinë Patos si një ndër më të mirat në vend: “Bashkia e Patosit është ndër më të mirat, ku çdo gjë gjelbëron e lulëzon.”
Në përfundim të protestës, banorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të aksioneve, duke shprehur vendosmërinë për ta kundërshtuar deri në fund propozimin për shkrirjen e Bashkisë Patos.




