“Diella e re, shumë milionëshe”/ Berisha reagon pas prezantimit të “Pasqyrë Albania” nga Rama: Një mur i ri mes qytetarëve dhe administratës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës së qeverisë për krijimin e portalit të ri “Pasqyra Albania”.
Në një postim në Facebook, Berisha e ka cilësuar atë një tjetër projekt abuziv dhe një mënyrë për të shpërdoruar miliona nga paratë publike.
Sipas kreut të PD-së, “Pasqyra Albania” paraqitet si një portal përmes të cilit qytetarët do të mund të ndjekin ankesat dhe kërkesat e tyre, por në të vërtetë, sipas tij, bëhet fjalë për një tjetër projekt që do të kushtojë miliona dollarë.
“Mur i ri mes qytetarit dhe administratës, do t’u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundës vjedhjeve qeveritare”, është shprehur kryedemokrati.
Postimi i plotë e Sali Berishës:
“Pasqyrë Albania”, Diella e re shumë milionëshe!
Në serialin e mashtrimeve të tij të kësaj vere, Edi Rama, i bronzuar por i tromaksur dhe i skaduar, pas dështimit me Besën dhe Besimin, njoftoi nga Pogradeci portalin e ri “Pasqyra Albania” si mjetin e komunikimit me qytetarët për hallet e tyre. Në fakt, me këtë ai njoftoi vjedhjen e re të miliona dollarëve për “Pasqyra Albania”, në të cilën, sipas tij, qytetari do të mund të ndjekë ankesën apo kërkesën e tij. Natyrisht, pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës, e cila do t’u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare.




