FIER/ Pelegrinë nga gjithë Shqipëria për Shën Kozmain, festimet kulmojnë në Kolkondas,
LIBOFSHË – Qindra besimtarë ortodoksë nga Fieri, Myzeqeja dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë i janë drejtuar Manastirit të Shën Kozmait në Kolkondas, me rastin e festimeve në nderim të Shën Kozmait të Etolisë.
Pelegrinazhi ka nisur që në pasditen e 23 gushtit, ndërsa gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të sotëm numri i besimtarëve është shtuar ndjeshëm. Pelegrinët kanë mbërritur në Manastir për t’u lutur dhe për të nderuar kujtimin e shenjtorit.
Festimet kulmojnë sot, më 24 gusht, ditën kushtuar Shën Kozmait të Etolisë dhe përkujtimit të martirizimit të tij. Në Manastir zhvillohen ceremonitë kryesore fetare, me pjesëmarrjen e klerikëve dhe drejtuesve të Kishës Ortodokse, së bashku me një numër të madh besimtarësh.
Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas është një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit fetar në Myzeqe. Çdo vit, më 23 dhe 24 gusht, zona kthehet në një pikë takimi për besimtarë nga e gjithë Shqipëria, duke ruajtur një traditë të hershme fetare dhe kulturore.
Pelegrinazhi i këtij viti shoqërohet me pjesëmarrje të lartë, ndërsa besimtarët vijojnë të mbërrijnë në Kolkondas për të marrë pjesë në ceremonitë kushtuar Shën Kozmait.




