Fier/ Deri në 200 vizita në ditë në urgjencën e Spitalit Rajonal, shtohen rastet me probleme gastrointestinale
FIER – Deri në 200 pacientë në ditë po paraqiten në urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit, ndërsa rreth gjysma e rasteve lidhen me probleme të stomakut dhe zorrëve, si dhe shqetësime të tjera të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Mjeku i urgjencës, Ardit Hymeri, thotë se ndër rastet më të shpeshta janë diarreja, të vjellat dhe temperatura e lartë. Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për raste të lehta dhe të menaxhueshme, por rreziku rritet tek të moshuarit dhe personat që vuajnë nga diabeti, tensioni apo sëmundje të tjera kronike.
Sipas mjekut, simptomat në shumicën e rasteve zgjasin nga 3 deri në 6 ditë, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet dehidratimi dhe humbja e elektroliteve.
“Tek moshat e treta, humbja e lëngjeve dhe elektroliteve mund të sjellë komplikacione të rënda. Në raste të rralla, sidomos kur pacientët kanë edhe sëmundje të tjera, komplikacionet mund të jenë fatale”, shprehet Hymeri.
Fluksi i pacientëve në urgjencë është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përveç temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur, mjeku e lidh shtimin e rasteve edhe me qëndrimin në plazhe e pishina, higjienën, përdorimin e ambienteve të përbashkëta dhe kontaktet mes personave.
“Gjatë kësaj periudhe kemi vënë re shtim të rasteve virale që prekin stomakun dhe zorrët. Po kështu edhe infeksionet e lëkurës. Shkaqet janë temperaturat e larta, mungesa e higjienës, fluksi në plazhe, pishina dhe ambiente të përbashkëta”, tha ai.
Në këto kushte, apeli i mjekut drejtohet veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të cilët duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta.
“Apeli është për të gjitha grupmoshat që të tregojnë kujdes, të konsumojnë lëngje dhe të mos neglizhojnë diarrenë, të vjellat apo temperaturën e lartë. Nëse gjendja përkeqësohet, duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore”, u shpreh Ardit Hymeri, mjek urgjence.




