Përplasje me a*më në Holandë, një i vr*rë dhe dy policë të plagosur. Arrestohen 34 persona
Një përplasje me armë zjarri ka tronditur një fshat të vogël në lindje të Holandës, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy efektivëve të policisë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në Overasselt, pranë kufirit me Gjermaninë. Sipas policisë lokale, në lidhje me incidentin janë arrestuar 34 persona, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Mes të arrestuarve ka shtetas të Holandës, Francës, Belgjikës dhe Algjerisë.
Pamjet e kamerave të sigurisë, tregojnë dhjetëra persona të maskuar duke lëvizur nëpër një zonë të banuar. Disa prej tyre duket se janë të armatosur me armë të rënda. Në pamje shihet gjithashtu momenti kur personat largohen nga zona pas shkëmbimit të zjarrit.
Sipas autoriteteve, dy oficerët e policisë që mbetën të plagosur nuk janë në gjendje kritike. Autoritetet po hetojnë edhe pistën e lidhjes së ngjarjes me trafikantin e drogës Jos Leideckers, i konsideruar një prej kriminelëve më të kërkuar në Holandë. Leideckers është dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe, sipas raportimeve të mediave, aktualisht ndodhet në Sierra Leone.




