Pjesë e uniformave blu, kush është Anxhelo Breshani, truproja e Vasil Bedinajt/ Në 2022 iu bë atentat në Vlorë

Policia e Vlorës ka zbardhur dinamikën e konfliktit mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, ku ky i fundit i vendosi 5 milionë euro gjobë Bedinajt dhe ultimatumin për t’u larguar nga Shqipëria për 48 orë. Në pranga ranë 5 persona, ndërkohë që 6 të tjerë u shpallën në kërkim.
Në një deklaratë për shtyp, Policia e Vlorës tha se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi Anxhelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.
Por Anxhelo Breshani nuk është një emër i panjohur për policinë. 29-vjeçari ishte truproje i Vasil Bedinajt dhe më parë ka qenë pjesë e uniformave blu. Në shtator të vitit 2022 iu bë atentat në Vlorë, ku u qëllua me armë ndaj dy policëve, Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj. Dy policët udhëtonin me një makinë me xhama të zinj dhe pa targa. Ata kanë parakaluar makinën e autorëve dhe, në këtë moment, janë sulmuar me armë zjarri.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një situate të krijuar rishtazi pas një parakalimi, ku autorët kanë qëlluar ndaj policëve për shkak se i janë trembur një atentati.




