“U fsheh në tualet për t’i shpëtuar policisë”/ Zbardhen detajet e arrestimit të Jozefin Markut
Detaje të reja janë zbardhur nga policia lidhur me konfliktin e filmuar pranë mbikalimit të Rinasit, pamje të cilat u publikuan në rrjetet sociale dhe bënë xhiron e rrjetit.
Pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, policia ka identifikuar dhe ndaluar dy persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Në pranga ka rënë Jozefin Marku, 30 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Po ashtu është ndaluar K. N., 31 vjeç, i dyshuar se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover” që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre përkrahje të autorit të krimit, armëmbajtje pa leje, heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë me dashje dhe kanosje.
Ndërkohë, A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit në banesën e K. N., policia sekuestroi një sasi municioni, ndërsa u sekuestrua edhe automjeti “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur në konflikt.
Sipas policisë, personat e ndaluar, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ai kishte fyer një prej tyre.
Pas publikimit të pamjeve, rasti u bë objekt verifikimi nga policia, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




