Fier/ Reagon Policia pas lajmit për plagosjen e një mjeku në Spitalin Memorial, sqarohet çfarë ndodhi brenda ambienteve të spitalit
Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar lidhur me një lajm të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se një mjek ishte plagosur me mjet prerës (thikë) në ambientet e Spitalit Memorial Fier.
Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet policore kanë shkuar në ambientet e Spitalit Memorial për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.
Nga verifikimet e kryera në vendngjarje, Policia bën me dije se nuk ka rezultuar të ketë ndodhur plagosje me mjet prerës (thikë).
Në lidhje me rastin, është konstatuar se shtetasi J. M., mjek i spitalit, dhe shtetasi L. B., punonjës i spitalit, kanë pasur një konflikt verbal brenda ambienteve të Spitalit Memorial Fier.
Sipas deklarimeve të palëve, konflikti është zgjidhur me mirëkuptim dhe nuk ka pasur plagosje me thikë, siç ishte raportuar fillimisht në rrjetet sociale.
Megjithatë, Policia sqaron se çështja mbetet në verifikim dhe Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e incidentit.
Reagimi i Policisë vjen pas përhapjes së lajmit në rrjetet sociale, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet lidhur me atë që ka ndodhur në ambientet e spitalit.




