Kontrolle në burgjet e Peqinit dhe Fierit, arrestohet një i burgosur dhe procedohen 8 persona

Kontrollet e kryera në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) kanë zbuluar raste të mbajtjes së celularëve nga të burgosur, duke çuar në arrestimin e një personi dhe procedimin penal të 8 të tjerëve.
Kontrollet janë zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve (DPB).
Në IEVP Peqin, gjatë kontrollit të sendeve personale të të burgosurit me inicialet F. Ç., është gjetur një aparat celular. Pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, ai është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal.
Në lidhje me këtë rast, janë proceduar në gjendje të lirë edhe katër të burgosur, M. H., L. Gj., I. L. dhe F. A., të dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, sipas nenit 300 të Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë dy punonjës policie të IEVP Peqin, Sh. K. dhe E. J., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në IEVP Fier, gjatë kontrollit në ambientet e dhomës së të burgosurit R. K., është konstatuar një tjetër aparat celular.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, R. K. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.
Po ashtu, është proceduar në gjendje të lirë edhe i burgosuri E. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, sipas nenit 300 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit, materialet procedurale do t’u dërgohen për veprime të mëtejshme Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Fier.
Kontrollet në institucionet penitenciare vijojnë në kuadër të masave për evidentimin dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara brenda ambienteve të burgjeve.




