Lushnjë/ Shiste kok*inë në vend të picave, arrestohet 31-vjeçari
Pas disa muajsh hetime, Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Motoristi”, duke goditur një veprimtari të dyshuar të shitjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Lushnjës.
Në kuadër të operacionit, janë arrestuar E. Sh., 31 vjeç, dhe S. Gj., 39 vjeç, të dyshuar për shitje të dozave të kokainës.
Sipas Policisë, 31-vjeçari dyshohet se shpërndante doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin kryente porosi ushqimi.
Gjatë kontrolleve në banesat e dy të arrestuarve, u sekuestruan rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak, peshore elektronike, grirëse për bimë narkotike dhe 6 celularë.
Në banesën e 31-vjeçarit u gjetën 318 gramë kokainë e dyshuar, një peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, një grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë. Ndërsa në banesën e 39-vjeçarit u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë dhe 3 celularë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, pas hetimeve të kryera me metoda proaktive.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




