Zjarr masiv në Gorishovë, flakët përhapen në ullishte dhe masiv pyjor
Një zjarr masiv ka përfshirë mesditën e sotme kodrat me ullishte në Gorishovë, në Njësinë Administrative Cakran, Bashkia Fier.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë me shkurre, ullishte dhe masiv pyjor, të favorizuara nga era e fortë, duke alarmuar banorët e zonës.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve, ndërsa terreni i thyer e vështirëson ndërhyrjen.
Pavarësisht përmasave të zjarrit, flakët fatmirësisht ndodhen larg zonës së banuar.
Ky është zjarri i dytë masiv që përfshin zonën e Cakranit brenda dy ditësh. Ditën e djeshme, një tjetër vatër zjarri përfshiu kodrat e Kreshpanit, ku u shkrumbuan rreth 2 mijë rrënjë ullinj, si dhe një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi dhe pyje.
Situata mbetet nën monitorim, ndërsa shërbimet zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve.




