Gazetari i njohur Fatmir Popja merr Çmimin “Sami Frashëri” 2026 për publicistikën

Belsh – Gazetari i njohur nga Elbasani, Fatmir Popja, është shpallur fitues i Çmimit “Sami Frashëri” për vitin 2026, në fushën e publicistikës.
Çmimi u dorëzua gjatë një ceremonie të zhvilluar në Belsh, ku morën pjesë akademikë, profesorë, studiues, shkrimtarë, publicistë, gazetarë dhe përfaqësues të institucioneve.
Fatmir Popja është vlerësuar për një karrierë disa dekadëshe në gazetari, gjatë së cilës ka kontribuar në median e shkruar, televizion, radio dhe gazetarinë online. Krahas gazetarisë, ai është angazhuar edhe si drejtues mediatik, moderator, autor dhe komentator sportiv.
Juria, e kryesuar nga Namik Dokle, e motivoi çmimin me kontributin e Popjës në gazetari, duke e cilësuar atë si një profesionist të raportimeve të sakta e të shpejta, gazetar të angazhuar në investigime, trajtues të problematikave dhe shqetësimeve njerëzore dhe kërkues të së vërtetës.
Në motivacionin e jurisë theksohet gjithashtu kontributi i tij si komentator sportiv, drejtues i mediave lokale në Elbasan që në vitet e para të demokracisë, si dhe angazhimi në mediat kombëtare.
Një tjetër element i përmendur në motivacion është edhe themelimi prej tij i medias online Albania Express News.
Çmimi “Sami Frashëri” 2026 e vendos kështu emrin e Fatmir Popjës mes të vlerësuarve për kontributin në publicistikën shqiptare, duke nderuar një rrugëtim të gjatë profesional në fushën e medias.
Redaksia e FieriWeb i përcjell urimet më të përzemërta gazetarit dhe mikut tonë, Fatmir Popja, për këtë vlerësim të rëndësishëm me Çmimin “Sami Frashëri” 2026 në fushën e publicistikës.




