Për herë të parë në një spital publik, Memorial realizon ndërhyrjen TEVAR – 69-vjeçarja drejt rikuperimit pas dëmtimit të aortës
Një ndërhyrje e vështirë dhe komplekse në aortë është realizuar me sukses në Spitalin “Memorial”, duke shënuar një tjetër arritje për mjekësinë publike shqiptare.
Procedura, e njohur në terma mjekësorë si TEVAR (Thoracic Endovascular Aortic Repair), konsiston në vendosjen e një endoproteze brenda aortës, në pjesën e dëmtuar të saj, me qëllim parandalimin e çarjes dhe komplikacioneve të rënda që mund të rrezikojnë jetën e pacientit.
Sipas ekipit mjekësor, ndërhyrja paraqiste një shkallë shumë të lartë vështirësie dhe rreziku. Në krye të ekipit ishte Ndriçim Kallashi, shef i Shërbimit të Hemodinamikës në Spitalin “Memorial”.
Pacientja, Vjollca Xhafa nga Kavaja, u paraqit në spital me probleme të rënda të aortës, me rrezik për përkeqësim të gjendjes dhe çarje të saj. Pas konsultimeve të ekipit multidisiplinar, u vendos që pacientja t’i nënshtrohej ndërhyrjes endovaskulare dhe vendosjes së endoprotezës në segmentin e dëmtuar.
Ndërhyrja u realizua me sukses dhe pacientja vijon të jetë në fazën e rikuperimit nën kujdesin e stafit mjekësor.
Suksesi i procedurës mori një kuptim të veçantë edhe për familjen e pacientes, pasi rikuperimi i saj përkoi me ditëlindjen e 69-të.
Dr. Emre Melik Faideci, kardiolog, e cilësoi ndërhyrjen si një procedurë shumë të vështirë dhe komplekse, duke vlerësuar punën e ekipit shqiptar.
“Kjo ishte një ndërhyrje shumë e vështirë dhe shumë komplekse, por mjeku Kallashi dhe ekipi i tij bënë që rezultati të ishte i mirë. Tani kjo procedurë mund të kryhet edhe për pacientë të tjerë që kanë probleme me diseksionin e aortës.”
Në ndërhyrje dhe trajtimin e pacientes u angazhuan edhe mjekë të tjerë të ekipit, mes tyre Dr. Xhoana Deraj, mjeke reanimatore/anesteziste, si dhe Edison Koltraka dhe Briand Shehu.
Realizimi i kësaj procedure përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e mundësive të trajtimit të patologjive të aortës në sistemin publik shëndetësor shqiptar.
Përdorimi i metodave të avancuara mjekësore, pajisjeve moderne dhe bashkëpunimi me specialistë turq kanë bërë të mundur që ekipeve mjekësore në “Memorial” t’u ofrohen mundësi për trajtimin e rasteve komplekse që më parë kërkonin ndërhyrje të specializuara jashtë vendit.




