Sinjali i parë për Sali Berishën nga ambasadori i ri amerikan në Tiranë

Berisha jashtë pritjes së Eric Wendt, sinjali i parë amerikan pas debatit për “non gratën”
Sali Berisha nuk do të jetë në pritjen zyrtare që Ambasada e SHBA organizon sot për ambasadorin e ri Eric Wendt. Kreu i PD ndodhet në Korçë, ndërsa në Tiranë mblidhen përfaqësues të politikës, institucioneve, drejtësisë dhe jetës publike…
Në orën 18:00 të pasdites së sotme, Ambasada amerikane zhvillon në Tiranë pritjen zyrtare për ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt. Ceremonia do të mbahet në një prej hoteleve në qendër të Tiranës, ndërsa të ftuar në këtë event janë përfaqësues të politikës, drejtësisë, biznesit, shoqërisë civile, mediave etj.
Por listës së të ftuarve i mungon Sali Berisha, kreu demokrat, i cili në të njëjtën orë që Wendt mirëpret në ceremoni të ftuarit, do të jetë në Korçë në një takim me demokratët, në kuadër të atij që e konsideron si turi i ripërtëritjes së PD-së.Mungesa e kreut të Partisë Demokratike në ceremoninë zyrtare të prezantimit të ambasadorit të ri amerikan merr peshë pikërisht për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë muajve të fundit mes tij dhe Uashingtonit.
Në qershor, Berisha shpalli publikisht se kishte marrë fund masa që e pengonte atë dhe familjen e tij të udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara. Më 12 qershor, Reuters raportoi deklaratën e tij se pas një rishikimi të çështjes nga Departamenti i Shtetit, ai dhe familjarët e tij nuk kishin më pengesë për të udhëtuar në SHBA.
Por Departamenti i Shtetit përdori një formulim më të kufizuar. Një zëdhënës i DASH i tha Reuters se Departamenti kishte dhënë “waivers” për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura gjatë administratës së mëparshme, sepse këto përjashtime i shërbenin një “interesi kombëtar bindës” të Shteteve të Bashkuara. Zëdhënësi nuk bëri publikë emrat e personave që kishin përfituar.




