GJYKATA E FIERIT LË NË “ARREST SHTËPIE” ERIND XHAFERIN
FIER – Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për këngëtarin fierak Erind Xhaferi, i cili u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Fierit.
Vendimi është marrë këtë të shtunë, më 3 tetor, nga gjyqtari Noel Veizi, pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit.
Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Xhaferit dhe më pas ka caktuar ndaj tij masën “arrest në shtëpi”. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vepra të turpshme”, parashikuar nga neni 108, paragrafi 3 i Kodit Penal.
Sipas vendimit, Xhaferi duhet të qëndrojë në banesën e tij dhe nuk lejohet të komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.
Gjykata ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, nëse ndaj tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi ose vendim penal që e pengon lirimin.
Në seancë, këngëtari është mbrojtur nga avokati Nexhip Dautaj, ndërsa Prokuroria e Fierit është përfaqësuar nga prokurori Skerdi Sinanaj.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.
Hetimet për rastin vijojnë.




