Kamerat që mendoni se ju mbrojnë mund të shihen nga të tjerë, eksperti tregon arsyen

Një demonstrim live në emisionin “Review” me Greta Topjanën ka treguar se si kamerat e sigurisë, nëse nuk konfigurohen siç duhet, mund të jenë të aksesueshme edhe nga persona që nuk kanë lidhje me pronarët e tyre.
I ftuar në emision, eksperti i IT-së Edmond Liçaj realizoi një demonstrim përmes telefonit, duke hyrë në një kamerë që ishte e aksesueshme publikisht. Kamera ndodhej në ambientin privat të një banoreje jashtë Shqipërisë.
Sipas ekspertit, rasti shërbeu për të treguar rëndësinë e mbrojtjes së pajisjeve të tilla me PIN dhe fjalëkalime, në mënyrë që pamjet të jenë të aksesueshme vetëm nga personat që kanë të drejtë t’i përdorin.
Liçaj shpjegoi se një pjesë e kamerave mund të mbeten të ekspozuara në internet nëse, pas instalimit, nuk ndryshohen konfigurimet fillestare dhe nuk vendosen kredenciale të sigurta.
“Zonja është në ambient, në hapësirë private, në ballkonin e saj. Është marrë për ilustrim në një video publike live, ku është data dhe ora, 03.10.2026. Ajo zonja është në ballkonin e shtëpisë së saj, por kamerat e saj janë në një pjesë të një liste të miliona kamerave që e ka montuar tekniku dhe ka ngelur e hapur dhe publike”, u shpreh eksperti.
Ai e krahasoi situatën me përdorimin e një telefoni pa PIN, duke theksuar se edhe kamerat duhet të mbrohen me fjalëkalime dhe masa të tjera sigurie.
“Është sikur blen një telefon dhe e lë diku pa vendosur PIN-in, mund të të futet dikush tjetër. Kur PIN-in e di vetëm unë, futem vetëm unë, edhe te kamerat është e njëjta gjë”, tha Liçaj.
Eksperti apeloi që për
doruesit të mos lënë konfigurimet fillestare të pajisjeve të pambrojtura dhe të mos ndajnë fjalëkalimet apo PIN-et me persona të tjerë, veçanërisht kur bëhet fjalë për pajisje që transmetojnë pamje nga ambiente private apo biznese.




