FIERI KTHEHET NË QENDËR TË FOTOGRAFISË NDËRKOMBËTARE, “FOKUS AWARD ALBANIA” MBLEDH FOTOGRAFË NGA 52 VENDE TË BOTËS
Fieri është kthyer në një pikë takimi për fotografinë ndërkombëtare, duke pritur edicionin e 17-të të “Fokus Award Albania”. Fotografë, artistë dhe profesionistë të imazhit nga vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë në Shqipëri, ndërsa qyteti i Fierit ka pritur aktivitetet përmbyllëse të këtij festivali të rëndësishëm të fotografisë.
Fotografia ndërkombëtare është bërë bashkë në Shqipëri në edicionin e 17-të të “Fokus Award Albania”.
Nga Shkodra në Tiranë dhe më pas në Fier, festivali ka sjellë ekspozita dhe aktivitete me pjesëmarrjen e fotografëve, artistëve dhe profesionistëve të imazhit nga vende të ndryshme të botës.
Tema e këtij edicioni ishte “Frymë / Breath”, një koncept që e çon fotografinë përtej frymëmarrjes si akt biologjik, duke e lidhur atë me jetën, natyrën, lirinë dhe brishtësinë njerëzore.
Albes Fusha, pedagog në Universitetin e Arteve, flet për rëndësinë e këtij edicioni dhe për dimensionin ndërkombëtar që ka marrë “Fokus Award Albania”.
Në këtë edicion kanë aplikuar 560 artistë nga 52 vende të botës, ndërsa punimet janë vlerësuar nga një juri ndërkombëtare.
Në Fier, aktivitetet u përmbyllën me ekspozitat në Galerinë e Artit dhe në Teatrin “Bylis”, ku u prezantuan edhe punimet e 20 fotografëve të njohur italianë.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte marrëveshja e bashkëpunimit mes “Fokus Award Albania” dhe “FIDIA Factory”, që synon realizimin e projekteve të përbashkëta artistike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.
Maria Lanote, presidente e FIDIA Factory, vlerëson bashkëpunimin e ri dhe mundësinë për të zhvilluar projekte të përbashkëta mes artistëve të dy vendeve.
Përmes projektit të ri “Albania in Fokus”, festivali synon të promovojë edhe vlerat turistike dhe kulturore të Shqipërisë përmes fotografisë.
Dhjetë fotografë shqiptarë dhe të huaj do të dokumentojnë Shkodrën, Krujën, Tiranën, Durrësin dhe Fierin, duke sjellë përmes objektivit të tyre një tjetër këndvështrim mbi qytetet dhe identitetin shqiptar.
Arben Alliaj, organizator i “Fokus Award Albania”, shpjegon objektivat e këtij projekti dhe rëndësinë e promovimit të Shqipërisë përmes fotografisë.
Fotot e realizuara gjatë këtij turi do të prezantohen në një ekspozitë të posaçme në Puglia të Italisë, në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, në përfundim të konkursit janë shpallur edhe fituesit e gjashtë kategorive të edicionit të 17-të.
Në kategorinë tematike “Breath”, fitues u shpall Keyhan Mohemedi nga Irani.
Në kategorinë “Press and News”, çmimi iu dha Mohamad Abdu Hamda nga Palestina.
Në kategorinë “Life”, fituese u shpall Olga Harune nga Republika Çeke, ndërsa në kategorinë “Portret”, fituese është Mariam Plaino nga Rumania.
Në kategorinë “Peizazh”, fitues u shpall Bleron Çaka nga Kosova, ndërsa në kategorinë “Bota e Egër”, fitues është fotografi shqiptar Edinjo Jahja.
Prej vitit 2006, “Fokus Award Albania” është kthyer në një platformë të rëndësishme për fotografinë bashkëkohore, duke krijuar ura bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë.
Edicioni i 17-të e vendos edhe një herë Fierin në vëmendjen e skenës fotografike ndërkombëtare, duke e kthyer qytetin në një hapësirë ku takohen arti, fotografia dhe kultura të ndryshme nga e gjithë bota.




