Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në Maqedoninë e Veriut: Synohet zgjerimi i Task Forcës kundër migracionit të parregullt

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkon përfshirjen e Greqisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës në mekanizmin e përbashkët rajonal.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mori pjesë në Maqedoninë e Veriut në tryezën e diskutimit për vijimin dhe zgjerimin e Task Forcës së Përbashkët kundër Migracionit të Parregullt.

Gjatë takimit, Hita theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër migracionit të parregullt dhe krimit të organizuar transnacional, duke nënvizuar lidhjet mes këtyre fenomeneve dhe veprimtarive kriminale si trafikimi i qenieve njerëzore, falsifikimi i dokumenteve dhe pastrimi i parave.
Sipas tij, shkëmbimi në kohë reale i informacionit, ekspertiza profesionale dhe koordinimi i veprimeve operacionale janë elementë kyç për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë përtej kufijve shtetërorë.

Hita vlerësoi rezultatet e Task Forcës së Përbashkët Shqipëri–Mbretëri e Bashkuar, e krijuar në vitin 2023 dhe e zgjeruar më pas me përfshirjen e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Ky mekanizëm ka shërbyer për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike përmes operacioneve të përbashkëta, trajnimeve dhe shkëmbimit të informacionit.

Një nga propozimet e paraqitura nga kreu i Policisë së Shtetit ishte zgjerimi i mëtejshëm i Task Forcës, përmes përfshirjes me të drejta të plota të Greqisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në përfundim, Skënder Hita rikonfirmoi angazhimin e Policisë së Shtetit për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe konsolidimin e këtij mekanizmi si një strukturë të përbashkët rajonale në luftën kundër migracionit të parregullt dhe krimit të organizuar.




