KRONIKË

TOKA FOTOVOLTAIKE NË FIER/ Gjykata cakton “Arrest me burg” për katër persona, një tjetër me ndalim daljeje jashtë vendit

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masat e sigurisë për pesë persona të dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private për t’u përdorur për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Vendimi është shpallur më 11 nëntor 2026 nga gjyqtari Noel Veizi.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Sipas vendimit gjyqësor, katër persona janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për një tjetër janë caktuar masat “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Kush janë pesë personat dhe për çfarë akuzohen?

Reklama në FieriWeb - "ARGJENDARI ILIA"
  1. Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
  2. Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal Fier dhe ish-drejtues i Kadastrës në Fier, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
  3. Fjorelo Bida, punonjëse e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ajo dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
  4. Anila Haxhiu, notere, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ajo dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim.
  5. Arbina Jaupaj, punonjëse e Kadastrës Fier, është vendosur në masën “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, si dhe detyrim për t’u paraqitur pranë Policisë Gjyqësore. Ajo duhet të paraqitet në Komisariatin e Policisë Fier të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu bllokimin e pasaportës së saj.

Si u krye tjetërsimi i tokës?

Hetimet lidhen me tjetërsimin e dyshuar të një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, e cila përmes dokumentacionit të dyshuar të falsifikuar është regjistruar në pronësi private dhe më pas i është shitur investitorit Halil Gashi për zhvillimin e një projekti fotovoltaik.

Reklama në FieriWeb - “PIZZA ITALIA FIER”

Në qendër të hetimeve është edhe periudha kur Arben Voja drejtonte Kadastrën e Fierit, ndërsa dyshimet lidhen me veprimet e kryera gjatë procesit të regjistrimit dhe kalimit të pronësisë.

Gjykata ka ngarkuar Prokurorinë e Fierit, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore, për ekzekutimin e vendimit.

Reklama në FieriWeb “WIZZ AIR”

Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

Të gjithë personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Reklama në FieriWeb - "COVIM CAFFE"

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button