TOKA FOTOVOLTAIKE NË FIER/ Gjykata cakton “Arrest me burg” për katër persona, një tjetër me ndalim daljeje jashtë vendit
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masat e sigurisë për pesë persona të dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private për t’u përdorur për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Vendimi është shpallur më 11 nëntor 2026 nga gjyqtari Noel Veizi.
Sipas vendimit gjyqësor, katër persona janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për një tjetër janë caktuar masat “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Kush janë pesë personat dhe për çfarë akuzohen?
- Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
- Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal Fier dhe ish-drejtues i Kadastrës në Fier, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
- Fjorelo Bida, punonjëse e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ajo dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
- Anila Haxhiu, notere, është lënë në masën “Arrest në burg”. Ajo dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim.
- Arbina Jaupaj, punonjëse e Kadastrës Fier, është vendosur në masën “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, si dhe detyrim për t’u paraqitur pranë Policisë Gjyqësore. Ajo duhet të paraqitet në Komisariatin e Policisë Fier të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu bllokimin e pasaportës së saj.
Si u krye tjetërsimi i tokës?
Hetimet lidhen me tjetërsimin e dyshuar të një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës, e cila përmes dokumentacionit të dyshuar të falsifikuar është regjistruar në pronësi private dhe më pas i është shitur investitorit Halil Gashi për zhvillimin e një projekti fotovoltaik.
Në qendër të hetimeve është edhe periudha kur Arben Voja drejtonte Kadastrën e Fierit, ndërsa dyshimet lidhen me veprimet e kryera gjatë procesit të regjistrimit dhe kalimit të pronësisë.
Gjykata ka ngarkuar Prokurorinë e Fierit, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore, për ekzekutimin e vendimit.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda pesë ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.
Të gjithë personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.





