FIER, VLERËSOHET ME CERTIFIKATË KARRIERË INSPEKTORI FITIM HOXHA, 35 VITE SHËRBIM NË POLICINË E SHTETIT

Inspektori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Fitim Hoxha, është vlerësuar me “Certifikatën e Karrierës” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, në shenjë mirënjohjeje për 35 vite përkushtim dhe profesionalizëm në shërbim të Policisë së Shtetit.
Certifikata iu dorëzua gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier nga shefi i këtij komisariati, Kryekomisar Gerald Toska, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Vlerësimi u dha me motivacionin: “Për kontributin e vyer të dhënë gjatë viteve të shërbimit në radhët e Policisë së Shtetit”.
Gjatë karrierës së tij 35-vjeçare, Fitim Hoxha ka dëshmuar përkushtim, integritet dhe profesionalizëm në përmbushjen e detyrave, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në shërbim të sigurisë dhe qytetarëve.

Në përfundim të ceremonisë, inspektor Hoxha falënderoi për vlerësimin dhe u uroi kolegëve suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të tyre.





