ERION VELIAJ I DREJTOHET BELINDA BALLUKUT: “PO DORËZOHEM EDHE UNË SI GJITHË SHQIPTARËT, PO VIJ TEK JU”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pak minuta më parë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu drejtuar ministres Belinda Balluku, të cilën e cilëson si “Dr. e Qarkut Fier”.
Në postimin e tij, Veliaj pretendon se prej një muaji po qëndron në izolim në IEVP Fier, pavarësisht se ka një këmbë të thyer dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale.
Ai shprehet se kërkesat e tij të përsëritura drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari Gogu, dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje.
Veliaj ironizon situatën, duke pretenduar se në burg i është thënë se problemet mund t’ia zgjidhë vetëm Belinda Balluku.
Në fund të mesazhit, ai i kërkon Ballukut të miratojë kryerjen e operacionit në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes.
Postimi i plotë i Erion Veliajt:
Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj





