Fier/ Kanos me thikë drejtuesin e një automjeti në pedonale, procedohet penalisht 42-vjeçari

Policia e Fierit ka reaguar lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej një person duke mbajtur një thikë në dorë, në hyrje të pedonales së qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, 42-vjeçari me inicialet A. F., banues në Fier, është kapur dhe shoqëruar nga shërbimet e policisë mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ai ka kanosur me thikë drejtuesin e një automjeti që po kalonte në pedonalen e qytetit.
Policia bën me dije se 42-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Thika që mbante në dorë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ndaj tij nisi procedimi penal për veprën penale “Kanosja”, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




