Arrestohen dy ish-drejtorë të ASHK Fier, një jurist dhe përfituesi i pronës/ Sekuestrohen 1,143 hektarë tokë dhe 150 mijë euro

FIER – Katër persona janë arrestuar me urdhër të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas hetimeve të Prokurorisë për një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit të paligjshëm të pasurive të paluajtshme.
Në kuadër të procedimit penal nr. 1026 të vitit 2025, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër persona, mes tyre dy ish-drejtorë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Fier, një specialist jurist pranë këtij institucioni dhe një person të dyshuar si përfitues i pronave.
Në pranga kanë rënë shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e ish-drejtorëve të ASHK Fier, P.Ç., specialist jurist pranë këtij institucioni, si dhe K.H., i dyshuar si përfitues i pasurive.
Sipas Prokurorisë së Fierit, nga hetimet është provuar se K.H. ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, me qëllim regjistrimin në bashkëpronësi të një sipërfaqeje prej rreth 1,143 hektarësh tokë, në zonat kadastrale Seman i Ri dhe Sheq Marinas, si dhe të shumës prej 150 mijë eurosh.
Hetimet kanë zbuluar se pas regjistrimit të pasurive, tokat janë shitur më pas tek dy shoqëri të ndryshme, ndërsa për kryerjen e procedurave është përdorur edhe një prokurë e posaçme e dyshuar si e falsifikuar.
Prokuroria dyshon se dy ish-drejtorët dhe specialisti jurist i ASHK Fier kanë kryer regjistrimin e pasurive në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pa kryer verifikimet e nevojshme pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës.
Sipas organit të akuzës, këto verifikime do të kishin evidentuar se dokumentet mbi të cilat ishte mbështetur kërkesa për regjistrimin e pronave ishin të falsifikuara.
Në dosjen hetimore rezulton gjithashtu se njëri prej ish-drejtorëve të ASHK Fier ka regjistruar një sipërfaqe më të madhe toke nga ajo që përcaktohej në vendimin e pretenduar të kthimit të pronës, duke i krijuar mundësi përfituesit të regjistronte edhe sipërfaqe shtesë.
Një tjetër element i hetimit lidhet me ndryshimin e zërit kadastral të disa sipërfaqeve, të cilat nga “tokë arë” janë regjistruar si “tokë pa frut”, pa miratimet përkatëse nga institucionet kompetente.
Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë vendosur sekuestro preventive mbi më shumë se 76 pasuri, me një sipërfaqe totale prej rreth 1,143 hektarësh tokë, si dhe mbi 150 mijë euro.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjithë mekanizmin e dyshuar të përfitimit të pronave dhe transaksionet e kryera më pas me këto pasuri.




