Bashkia Fier mbledh Komisionin Vendor të Mbrojtjes Civile, në fokus masat për parandalimin e zjarreve

Në Bashkinë Fier u zhvillua këtë të mërkurë mbledhja e Komisionit Vendor të Mbrojtjes Civile, në zbatim të ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, me fokus përmirësimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve gjatë sezonit veror.

Gjatë mbledhjes u diskutuan një sërë masash për forcimin e parandalimit dhe reagimit ndaj zjarreve, duke nisur nga sensibilizimi i qytetarëve për shmangien e rasteve që mund të shkaktojnë vatra zjarri, deri te ulja e riskut përmes hapjes së korridoreve në masivet pyjore dhe garantimit të aksesit për mjetet zjarrfikëse.

Po ashtu, u theksua rëndësia e angazhimit në kohë të të gjitha strukturave përgjegjëse, zbatimi i procedurave ligjore dhe përcaktimi i drejtuesit të operacionit në rast zjarri. Në takim u diskutua edhe aktivizimi i plotë i kapaciteteve të Bashkisë Fier, si dhe bashkëpunimi me bashkitë fqinje dhe koordinimi me strukturat qendrore të Mbrojtjes Civile, kur situata e kërkon.

Mesazhi kryesor i mbledhjes ishte se mënyra më efektive për të luftuar zjarret është parandalimi, ndërsa u bë apel për bashkëpunimin e qytetarëve në mbrojtjen e pyjeve, kullotave dhe mjedisit gjatë muajve të verës.




