BULQIZË/ E PARAQITËN SI SULM NGA ARIU, 57-VJEÇARI U VRA ME ARMË ZJARRI, ARRESTOHEN BASHKËSHORTJA DHE DJALI

Zbardhet ngjarja e rëndë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku një 57-vjeçar u raportua fillimisht se kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari. Por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për një vrasje të kryer me armë zjarri.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar bashkëshorten 57-vjeçare dhe djalin 33-vjeçar të viktimës, të dyshuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë shtetasin me inicialet U.F.
Ngjarja ndodhi më 3 nëntor 2026, ndërsa pas hetimeve intensive, më 4 nëntor, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, arritën të dokumentojnë krimin.
Fillimisht, familjarët kishin raportuar se 57-vjeçari ishte sulmuar nga një ari. Megjithatë, nga hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore u zbulua se ai ishte vrarë me armë zjarri, ndërsa në ngjarje dyshohet se janë përdorur edhe mjete të forta prerëse.
Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi një pistoletë model 54, fishekë dhe një gëzhojë pistolete të gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.
Të dyshuarit do të përballen me drejtësinë për ngjarjen e rëndë.




