Divjakë/ Konflikti me sende të forta për pak sa nuk përfundoi në vrasje, arrestohen 6 persona
Një konflikt i nisur me sende të forta në një lokal në Divjakë për pak sa nuk përfundoi në një ngjarje më të rëndë, ndërsa ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar një vrasje të dyshuar.
Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, finalizoi operacionin policor të koduar “Crime Prevented”, në kuadër të të cilit u arrestuan gjashtë persona dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator.
Policia kishte marrë njoftim për një konflikt me sende të forta në një lokal në pronësi të Zeni Kules, 50 vjeç. Shërbimet policore mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku gjetën të dëmtuar Orgito Lamkën, 22 vjeç, dhe Shahin Xhepexhiun, 51 vjeç.
Të dy u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore dhe, pas përfundimit të deklarimeve në Komisariat, u larguan drejt banesave të tyre.
Por disa orë më vonë, Policia mori informacion në rrugë operative se Orgito Lamka ishte rikthyer në lokal i armatosur me një pistoletë me silenciator dhe dyshohej se synonte të vriste Shahin Xhepexhiun.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e ngjarjes së rëndë. Lamkës iu gjet një pistoletë me silenciator, me fishek në fole dhe gati për qitje.
Në vijim të operacionit u arrestuan:
- Orgito Lamka, 22 vjeç, me precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh në Shqipëri dhe Belgjikë;
- Kevin Sota, 45 vjeç, me precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh në Shqipëri;
- Serxhio Duda, 28 vjeç, me precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh, i cili drejtonte automjetin me të cilin Lamka ishte rikthyer në lokal;
- Santiago Alla, 30 vjeç, i cili dyshohet se ka tentuar të largojë armën e zjarrit nga automjeti i Kevin Sotës;
- Zeni Kule, 50 vjeç, pronari i lokalit, i arrestuar për moskallëkim krimi;
- Shahin Xhepexhiu, 51 vjeç, i arrestuar për moskallëkim krimi, pasi gjatë hetimit rezultoi se nuk kishte treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pistoleta, njëra me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.




