Zjarri prej 10 ditësh në Mallakastër e Patos, izolohen disa vatra – 70 efektivë në terren
Prej 10 ditësh, zjarri i nisur më 4 gusht vijon të djegë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në territorin e Mallakastrës dhe Patosit.
Flakët kanë përshkuar territorin e disa fshatrave, duke shkrumbuar dhjetëra hektarë pyje me pisha dhe, në disa raste, duke rrezikuar edhe banesat.
Pas një nate me intensitet të lartë, mëngjesin e sotëm forcat operacionale kanë arritur të lokalizojnë dhe izolojnë disa prej vatrave, ndërsa puna vijon për izolimin përfundimtar të zjarrit.
Në ekonominë pyjore Lofkënd–Ngraçije, në Bashkinë Mallakastër, ka nisur operacioni për izolimin e vatrës së zjarrit. Në terren janë angazhuar 30 trupa të Forcave të Armatosura, 10 efektivë të Policisë Bashkiake, 15 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike dhe 5 efektivë të MZSH-së, të mbështetur nga një automjet zjarrfikës.
Në pjesën tjetër të vatrës, në drejtim të ekonomisë pyjore të Gjinoqares, po operojnë strukturat e MZSH-së Patos me 2 mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë.
Në total, aktualisht në terren janë angazhuar 70 efektivë dhe 3 mjete zjarrfikëse, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Forcat operacionale kanë arritur të izolojnë vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije, ndërsa aktualisht ndërhyrja është përqendruar në pjesën e ekonomisë pyjore të Gjinoqares.
Megjithatë, situata mbetet e brishtë. Era e fortë përbën rrezikun kryesor për riaktivizimin e flakëve, veçanërisht në terrenet e thyera malore, ku ndërhyrja me automjete zjarrfikëse është e pamundur.
Forcat në terren vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në vatrat problematike, me qëllim izolimin përfundimtar të zjarrit dhe shmangien e çdo rreziku për zonat e banuara.




