Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prish skenarin e PD-së për protestën, ndërhyrje e menjëhershme dhe arrestime në flagrancë

Protesta e opozitës në Tiranë u shoqërua me tensione, por ajo që ra më shumë në sy këtë herë ishte organizimi i Policisë së Shtetit dhe ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit, duke neutralizuar përplasjet që në momentet e para.

Sapo protestuesit nisën të hidhnin molotovë në drejtim të institucioneve, policia reagoi menjëherë duke përdorur mjete ujore për të shpërndarë turmën dhe për të ndalur avancimin e saj.
Pak minuta më vonë, para godinës së Kryeministrisë, një numër i madh efektivësh të pajisur me skafandra dhe mjete mbrojtëse hapën në mënyrë të koordinuar gardhin metalik të sigurisë dhe ndërhynë mes protestuesve.

Gjatë aksionit, policia kapi në flagrancë disa persona të maskuar, të cilët sipas burimeve mbanin çanta me molotovë, ndërsa rreth 30 protestues janë shoqëruar në polici për verifikime dhe veprime të mëtejshme procedurale.
Një pjesë e protestuesve synonin afrimin drejt Parlamentit, por policia bllokoi rrugën me kordon sigurie dhe nuk lejoi depërtimin drejt zonës së sigurisë.

Të vetmet molotovë që u hodhën gjatë protestës ishin ato në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa situata më pas u vu nën kontroll nga forcat e rendit.
Ky konsiderohet testi i parë i rëndësishëm në terren për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër menaxhimin e protestës.






