DVP Fier / Arrestime, procedime dhe persona në kërkim për disa vepra penale

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë publike disa raste të fundit të ndërhyrjeve nga strukturat e saj, që lidhen me shkelje të qarkullimit rrugor, konflikte dhe vepra të tjera penale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi duke drejtuar një motomjet pa targa dhe në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet, duke shkaktuar dëme materiale.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin B. H., 55 vjeç, banues në Roskovec, pasi ka aksidentuar lehtë një 70-vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier shpallën në kërkim shtetasit K. V., 33 vjeç, dhe P. L., 35 vjeç, banues në fshatin Shtyllas. Sipas hetimeve paraprake, ata janë konfliktuar për motive të dobëta me një 31-vjeçar dhe më pas i kanë goditur automjetin me mjetet e tyre. Si pasojë, 31-vjeçari ka mbetur i dëmtuar dhe po merr trajtim mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Policia vijon punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në një tjetër rast, u kap shtetasi E. S., 45 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për vjedhjen e një portofoli. Me vendim të prokurorit, ai do të procedohet në gjendje të lirë.
Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë arrestuan shtetasin K. Ç., 66 vjeç, banues në Libofshë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Kjo e fundit është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Ndërsa në Lushnjë, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin L. Ç., 70 vjeç, dhe dy fëmijët e tij, E. Ç., 35 vjeç dhe E. B., 38 vjeçe, të cilët dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me një 63-vjeçare. Nga konflikti, kjo e fundit ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme.




