Fier/ Aksion i mirëorganizuar i policisë, arrestohen tre persona, në automjet u gjet një pistoletë

Një aksion i mirëorganizuar i Policisë është zhvilluar pasditen e sotme në dalje të Fierit, në vendin e njohur si “Viva”, ku janë arrestuar tre persona.
Sipas informacioneve paraprake, tre të arrestuarit udhëtonin drejt Lushnjës me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të bardhë. Mësohet se ata kanë pikasur ndjekjen e policisë dhe kanë tentuar të ndalojnë automjetin për t’u larguar, por tentativa ka dështuar, pasi vetëm pak metra më tej ishte ngritur një tjetër postbllok policie.
Burime bëjnë me dije se ndërhyrja e policisë nuk ka qenë e rastësishme, duke ngritur dyshimet se operacioni ishte përgatitur dhe monitoruar më herët.
Gjatë kontrollit të automjetit, sipas të dhënave paraprake, policia ka gjetur një armë zjarri tip pistoletë, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Tre personat janë shoqëruar/arrestuar nga policia, ndërsa priten detaje zyrtare për identitetin e tyre, arsyet e operacionit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Pamjet nga vendngjarja janë siguruar nga bashkëpunëtorët e FieriWeb në terren.




