FIER/ ATENTATI NDAJ SELAMI HASANIT, POLICIA KONTROLLE NË DISA BANESA NË FIER, VERIFIKOHEN EDHE PERSONA ME TË KALUAR KRIMINALE

Policia ka intensifikuar kontrollet në qytetin e Fierit pas atentatit me armë zjarri, ku mëngjesin e sotëm mbeti i vrarë 60-vjeçari Selami Hasani, ndërsa u plagos nipi i tij, Jakup Hasani.
Mësohet se uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në disa banesa në qytet, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e rrethanave që çuan në këtë atentat.
Burime mediatike bëjnë me dije se kontrollet janë shtrirë edhe në banesa të personave që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen apo konflikte të mëparshme me viktimën. Mes tyre raportohet edhe për kontrolle në banesën e një personi të njohur me inicialet A.B.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar mbi rezultatet e këtyre kontrolleve apo ndonjë përfshirje të personave të verifikuar në atentat.
Kujtojmë se 60-vjeçari Selami Hasani u qëllua me armë zjarri në oborrin e banesës së tij. Ai humbi jetën në vend, ndërsa nipi i tij, Jakup Hasani, mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, viktima kishte dalë nga burgu vetëm një javë përpara se të ekzekutohej.
Ndërkohë, pas ngjarjes janë ngritur pika kontrolli edhe në akset rrugore që lidhin Fierin me qytetet e tjera, ndërsa policia po verifikon lëvizjet e mundshme të autorëve pas atentatit dhe djegies së automjetit që dyshohet se është përdorur në krim.
Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa mbetet për t’u zbardhur nëse atentati lidhet me konflikte të mëparshme apo me motive të tjera.
FieriWeb – Lajmi në zhvillim.




