FIER/ AUTOMJETI I PËRDORUR DYSHOHET SE U DOGJ NGA AUTORËT PAS EKZEKUTIMIT TË 60-VJEÇARIT

Një automjet është gjetur duke u djegur në mbikalimin e Ndërmenasit, në autostradën Fier–Vlorë, vetëm pak kohë pas vrasjes së 60-vjeçarit Selami Hasani në qytetin e Fierit.
Sipas dyshimeve paraprake, automjeti mund të jetë përdorur nga autorët e atentatit mafioz, të cilët dyshohet se pas kryerjes së krimit janë larguar nga vendngjarja dhe më pas kanë djegur mjetin në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku pritet të kryhen ekspertizat e nevojshme për identifikimin e automjetit dhe verifikimin e lidhjes së tij me ekzekutimin.
Ndërkohë, strukturat policore në Fier, Vlorë dhe qarqet përreth kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit dhe identifikimin e personave të përfshirë.




