FIER/ AUTOMJETI I DJEGUR NË POJAN TRANSPORTOHET PËR EKSPERTIM, BRENDA TIJ NUK GJENDET ARMA E KRIMIT

Automjeti i djegur, i gjetur në rrethrrotullimin e Pojanit në Fier, i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e 60-vjeçarit Selami Hasani, është marrë nga policia për t’iu nënshtruar një ekspertimi më të detajuar.
Pas këqyrjes paraprake në vendngjarje, grupi hetimor ka vendosur që automjeti të transportohet për në ambientet ku do të kryhen ekzaminimet e specializuara nga ekspertët e Policisë Shkencore.
Qëllimi është zbulimi i gjurmëve biologjike, materiale apo i çdo prove tjetër që mund të ndihmojë hetuesit në identifikimin e autorëve dhe rindërtimin e lëvizjeve të tyre pas atentatit.
Mësohet se gjatë kontrolleve të deritanishme, brenda automjetit nuk është gjetur arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur në ekzekutimin e 60-vjeçarit.
Ekspertimi i automjetit konsiderohet një element i rëndësishëm për hetimet, ndërsa policia vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe identifikimin e personave përgjegjës.




