FIER/ Nuk lejohet sërish takimi me Erion Veliajn në burgun e Fierit, avokati Plarent Ndreca: Situatë antikushtetuese dhe antiligjore

Avokati Plarent Ndreca nuk është lejuar sërish të takojë kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit.
Ndreca kishte shkuar në institucionin e vuajtjes së dënimit për t’u konsultuar me klientin e tij në lidhje me seancën gjyqësore të planifikuar për ditën e nesërme, por edhe për të diskutuar mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe ndërhyrjen e mundshme kirurgjikale.
Sipas avokatit, si arsye për moslejimin e takimit i është komunikuar mungesa e personelit dhe e instrumenteve të kontrollit. Ai thotë se ka kërkuar që arsyet e refuzimit të pasqyroheshin në një procesverbal zyrtar, por edhe kjo kërkesë nuk është pranuar.
Ndreca e ka cilësuar situatën si antikushtetuese, antiligjore dhe skandaloze, duke theksuar se e drejta e avokatit për t’u takuar me klientin duhet të garantohet në çdo kohë, edhe gjatë fundjavave apo ditëve të pushimit zyrtar.
Avokati bëri të ditur se për një rast të mëparshëm të ngjashëm ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit.
Ndërkohë, ai theksoi se kanë kërkuar që Erion Veliaj të kontrollohet nga mjeku i familjes, të kryejë një rezonancë të re magnetike dhe t’i nënshtrohet një vizite mjekësore për vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
“Është një situatë që unë e konsideroj jo vetëm antikushtetuese dhe antiligjore, por edhe skandaloze”, u shpreh avokati Plarent Ndreca.




