
Policia e Fierit ka finalizuar tre faza të operacionit të koduar “Siguria”, në Fier dhe Lushnjë, në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë publike.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar 4 persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Gjithashtu, janë sekuestruar 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, 2 maska silikoni dhe një dorezë metalike përforcuese grushti.
Në Fier, në pranga ka rënë Suad Mernica 42-vjeç, i cili u kap me lëndë narkotike kokainë, drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe mbante me vete dy maska silikoni, që dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale.
Në një tjetër fazë të operacionit në Fier, u arrestuan dy persona, Zija dhe Endrit Troka babë e bir, 60 dhe 25 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre u sekuestruan një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.
Ndërkohë, në Lushnjë, pas një hetimi disa javor, policia arrestoi Misir Blliku dhe shpalli në kërkim djalin e tij, 32 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën dy kallashnikovë, një armë gjahu dhe municion luftarak.
Sipas policisë, armët e sekuestruara në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Armët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




