FIER/ Vijojnë operacionet kundër armëmbajtjes pa leje, arrestohet 64-vjeçari nga Patosi
Një 64-vjeçar është arrestuar në Patos në kuadër të operacionit të koduar “No Guns 4”, pasi posedonte pa leje armë zjarri dhe municion luftarak.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik dhe fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas të dhënave të Policisë, 64-vjeçari kishte përshtatur një ambient pranë gjeneratorit të energjisë elektrike, i cili ndodhej brenda rrethimit të oborrit të banesës, dhe e përdorte atë për të fshehur armën dhe municionin.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin Yzedin Agalliu, 64 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




