Flakët nuk ndalen në Mallakastër, zjarri avancon drejt Vloshit/ Helikopterët vijojnë ndërhyrjen nga ajri
Beteja me flakët në Mallakastër vijon me intensitet, ndërsa zjarri është përhapur në kufirin mes fshatrave Lofkënd dhe Drenie, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Sipas informacioneve nga terreni, vatra e zjarrit po avancon në drejtim të fshatit Vlosh, duke rritur rrezikun për sipërfaqe të tjera me pyje dhe bimësi.
Pas një ndërprerjeje të përkohshme për shkak të kushteve të operimit, helikopterët kanë rifilluar ndërhyrjen nga ajri, duke mbështetur forcat zjarrfikëse, efektivët e Emergjencave Civile, shërbimet pyjore dhe ekipet e tjera të angazhuara në terren.
Operacioni për shuarjen e flakëve vijon pa ndërprerje, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe po punojnë për izolimin e vatrave aktive, me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të zjarrit.




