FNSH e ruante në Fier, ‘Titi’ përplaset me policinë dhe plagoset në Athinë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën e Mikrolimanos, në Athinë. Sipas raportimeve, rreth orës 05:30, efektivët e policisë së Pireut kanë konstatuar një person të dyshimtë jashtë një dyqani dhe kanë tentuar ta kontrollojnë.
Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka tentuar të largohet dhe, sipas autoriteteve, ka drejtuar armën ndaj një oficeri policie. Në këto rrethana, njëri prej efektivëve ka reaguar me armën e shërbimit, duke e plagosur.
I plagosuri u transportua menjëherë në spitalin “Attikon”, ku më pas u identifikua si 41-vjeçari Alesio Xhelo nga Fieri, i njohur në Greqi me nofkën “Titi”, person me precedentë penalë. Sipas informacioneve, ai ka përdorur më herët edhe identitetin Astrit Hasani.
Nga kontrollet në vendngjarje, policia ka sekuestruar 3 armë zjarri dhe 6 granata, të cilat dyshohet se i përkisnin 41-vjeçarit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.




