“Hajdeni se kam vrarë gruan”, telefonata që ngriti në këmbë policinë e Fierit

Një telefonatë alarmuese ka vënë në lëvizje policinë e Fierit pasditen e sotme, pasi një 68-vjeçar nga fshati Dukas i Patosit ka deklaruar në mënyrë të rreme se kishte vrarë bashkëshorten e tij.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 14:30, në Sallën Operative të DVP Fier ka telefonuar shtetasi S. T., 68 vjeç, i cili ka njoftuar se kishte kryer vrasjen e bashkëshortes së tij, shtetases Sh. T., 64 vjeçe.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë së Patosit dhe Fierit janë nisur drejt banesës së çiftit, duke kontaktuar njëkohësisht edhe vetë telefonuesin për sqarim të situatës.
Nga verifikimet në terren rezultoi se deklarimi nuk ishte i vërtetë. Shtetasi S. T. ndodhej në gjendje të dehur dhe kishte bërë një njoftim të rremë që ka alarmuar forcat e rendit.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Sh. T., u gjet në banesë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa asnjë problem.
Policia ka shoqëruar 68-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.




