Katër anije luftarake të NATO-s mbërrijnë në Vlorë, stërvitje të përbashkëta me Forcën Detare Shqiptare
Katër anije luftarake të NATO-s, dy gjermane, një italiane dhe një spanjolle, kanë mbërritur më 2 nëntor në portin e Vlorës, në kuadër të një aktiviteti të përbashkët ushtarak me Forcën Detare Shqiptare.
Anijet luftarake do të qëndrojnë në Gjirin e Vlorës deri më 6 nëntor. Gjatë kësaj periudhe janë planifikuar aktivitete portuale, si dhe stërvitje të përbashkëta detare dhe ajrore.
Sipas programit, më 3 dhe 4 nëntor ekuipazhet do të zhvillojnë vizita portuale, ndërsa më 5 dhe 6 nëntor do të zhvillohen manovra të përbashkëta, ku do të angazhohen anijet e NATO-s dhe mjetet lundruese të Forcës Detare Shqiptare.
Stërvitja synon forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave detare të vendeve aleate, përmes koordinimit të operacioneve nga deti dhe ajri, komunikimit mes ekuipazheve dhe simulimit të skenarëve të përbashkët operacionalë.
Kjo është hera e dytë brenda një muaji që anije luftarake të NATO-s mbërrijnë në Gjirin e Vlorës për stërvitje me flotën shqiptare, duke e kthyer këtë zonë në një pikë të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak mes vendeve aleate.




