Lushnjë/ Homazhe në nder të aktorit dhe regjisorit Gjergji Lala

Në Lushnjë u zhvilluan homazhe në nder të aktorit dhe regjisorit të njohur Gjergji Lala, i cili u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare në Itali.
Në respekt të amanetit të tij, familjarët e sollën trupin për t’u prehur në vendlindje. Miq, të afërm, kolegë, qytetarë dhe kryebashkiakja e Lushnjës i dhanë lamtumirën e fundit, duke vendosur kurora me lule pranë arkivolit në ambientet e Muzeut Historik.
Gjergji Lala ishte një nga emrat e spikatur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai interpretoi dhjetëra role në skenë dhe në ekran, ndërsa një prej roleve më të njohura mbetet ai i Mihal Gramenos në filmin “Liri a Vdekje”.
Prej shumë vitesh ai jetonte në Itali, ku vijoi aktivitetin e tij artistik, duke marrë pjesë në filma dhe telefilma të ndryshëm.
Në karrierën e tij artistike, Gjergji Lala interpretoi në filma të njohur si: Tokë e përgjakur (1976), Nusja dhe shtetërrethimi (1978), Liri a Vdekje (1979), Gjurmë në kaltërsi (1981), Në prag të lirisë (1981), Shtëpia jonë e përbashkët (1982), Një emër midis njerëzve (1983) dhe Lumi që nuk shteron (1989).
Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbi një artist të çmuar, ndërsa kujtimi dhe kontributi i Gjergji Lalës do të mbeten të paharruar.




