Në thellësitë e Ujit të Zi, ekipi i zhytësve polakë eksploron 1.5 km të burimit të Këlcyrës: Rrjedha ndryshoi drejtim, mund të lidhet me një shpellë tjetër

Burimi i Ujit të Zi pranë Këlcyrës është kthyer në ‘sfidën’ e radhës të një ekspedite nga një grup zhytësish polakë që po përpiqen të zbulojnë çfarë fshihet në shpellat nënujore.
Ekspedita e parë ishte kryer në vitin 2025. Në një postim në rrjetet sociale, ekipi sqaron se këtë herë, ishin plotësisht të përgatitur për të eksploruar.
“Për disa ditë intensive, në temperatura që kalonin 35°C, transportuam pajisjet, kryem zhytje të njëpasnjëshme dhe dokumentuam kalimin e shpellës metër pas metri”, thonë ata ndërsa qëllimi kryesor ishte të zbulonin se sa i thellë është burimi.
Sfidat e këtij ekskursioni nënujor nisin që në kilometrin e parë ku thellësia ndryshon në 0 në 60, më pas 20, 90 dhe përsëri në 10 metra. Vetëm më tej shpella stabilizohet në rreth 7 metra thellësi. Në një pjesë të largët të saj janë gjetur dy xhepa ajri, por asnjëri prej tyre nuk të nxjerr diku.
Një problem i papritur doli të ishte sasia e litarit. Pothuajse 1.5 km litar nuk mjaftuan për të pajisur me litarë të gjithë shpellën.
Sukses ishte hyrja në një zonë të shpellës ku askush s’ka mundur të kalojë më parë.
“Rreth 1,300 metra nga hyrja, kalimi u shndërrua papritur në një çarje disa metra të gjerë, por vetëm disa dhjetëra centimetra të lartë. Pas rreth 20 metrash, shpella u zgjerua përsëri, vetëm për t’u mbyllur pak më tej në një tjetër çarje, këtë herë në një thellësi prej rreth 60 metrash”, sqaron postimi.
Fatmirësisht, edhe kjo pengesë mund të kalohej. Përtej saj, kalimi u bë përsëri i gjerë dhe i qartë, ndërsa shpella filloi të merrte formë të thepisur. Nga aty pasonte një thellësi prej 130 metrash që ata s’mund ta eksploronin për shkak të dekompresionit të ajrit.
Zbulimi ndoshta më i rëndësishëm i kësaj ekspedite ishte se pikërisht aty ku filluan çarjet, Uji i Zi ndryshoi papritur drejtim, rrjedha shkonte drejt Petranikusit.
“A mund të jetë kjo rruga që përfundimisht lidh të dyja shpellat? Ende nuk e dimë. Ajo që dimë është se do të vazhdojmë të përpiqemi. Eksplorimi i mëtejshëm do të kërkojë një rikthim në Ujin e Zi, si edhe punë të reja eksploruese në Petranikus”, shprehen eksploruesit.
Në total, nga ekspeditat e zhvilluara në Ujin e Zi, ekipi ka arritur të hartëzojë rreth 1.5 kilometra të shpellës deri në 130 metra thellësi.




