Nga Cakrani në tregun e BE-së/ Fermeri eksporton mbi 100 tonë perime në vit, por rruga e amortizuar i rrit kostot

Fermeri Leonard Hoxhaj, nga Cakrani i Fierit, është një prej prodhuesve që ka orientuar aktivitetin e tij bujqësor drejt tregjeve të huaja, duke kultivuar perime në sera dhe në fushë gjatë dy sezoneve të vitit.
Në një sipërfaqe prej rreth 5.5 dynymësh, Hoxhaj siguron një prodhim që i kalon 100 tonë në vit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e produkteve të tij destinohet për eksport në tregun europian.
Aktualisht, fermeri kultivon rreth 3.5 dynymë sera, ku gjatë sezonit të parë mbolli trangull kornishon. Prodhimi ka arritur në mbi 50 tonë, ndërsa tregu është siguruar që në fazën e mbjelljes.
“Unë kultivoj një sipërfaqe prej 3.5 dynymësh sera, ku mbjell trangull kornishon dhe arrij një prodhim mbi 50 tonë. Prodhimin e kam të kontraktuar për eksport në Austri që nga mbjellja e fidanit”, shprehet Leonard Hoxhaj.
Pas përfundimit të sezonit të trangullit, serat po përgatiten për mbjelljen e lakrës, një tjetër produkt për të cilin fermeri thotë se ka treg të sigurt.
Ndërkohë, në tokat e hapura ai ka kultivuar domate, të cilat pritet të hidhen në treg gjatë ditëve në vijim, duke iu drejtuar si konsumatorëve vendas, ashtu edhe tregut të eksportit.
Rruga, problemi që rrit kostot
Pavarësisht prodhimit dhe sigurimit të tregut, një nga vështirësitë kryesore me të cilat përballet fermeri mbetet infrastruktura rrugore.
Rruga që lidh parcelat dhe serat me zonat e banuara është e amortizuar, duke e bërë lëvizjen e mjeteve të transportit veçanërisht të vështirë gjatë reshjeve të shiut. Në këto kushte, transporti i prodhimit kërkon më shumë kohë dhe rrit kostot për fermerin.
Sipas Hoxhajt, rehabilitimi i kësaj rruge do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm tek aktiviteti i tij, por edhe tek fermerët dhe banorët e tjerë të zonës.
Një infrastrukturë më e mirë do të lehtësonte transportin e produkteve bujqësore, do të ulte kostot dhe do t’u mundësonte fermerëve të punojnë me më shumë efikasitet.
Nga Cakrani drejt tregjeve të Bashkimit Europian, prodhimi po rritet, por fermerët kërkojnë që infrastruktura të ecë në të njëjtin ritëm me bujqësinë.




