Një flutur e bardhë qëndron dy ditë pranë vogëlushit, familjarët e shohin si një shenjë nga babai i ndjerë

Një histori sa e pazakontë, aq edhe prekëse vjen nga familja e Ermal Lulajt, shefit të Krimeve në Vlorë, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 41-vjeçare, në aksidentin rrugor në aksin Fier–Vlorë.
Dhimbja e humbjes së tij është ende e madhe për familjarët, por mbi të gjitha për djalin e vogël, Siarin, i cili sapo kishte mbushur dy vjeç dhe do të rritet me kujtimin e një babai që u largua shumë herët nga kjo jetë.
Një episod i veçantë, i ndodhur në parkun qendror të qytetit të Fierit, ka prekur thellë familjarët e Ermalit.
Sipas rrëfimit të një të afërmi të familjes për Fieri Web, për dy ditë rresht, një flutur e bardhë është afruar dhe ka qëndruar pranë kokës së vogël të Siarit, teksa ai luante në park.
Në fillim, gjithçka u duk si një rastësi e bukur. Por ajo që ndodhi ditën e dytë i dha kësaj historie një tjetër kuptim emocional për familjarët.
“Kur ma treguan ditën e parë, e mendova si një rastësi të bukur. Ka qenë Ermali”, kishte pëshpëritur tezja e vogëlushit.
Por të nesërmen, flutura e bardhë u shfaq përsëri pranë Siarit.
“Përsëri një flutur te koka e Siarit”, ishte shprehur ajo.
Në atë moment, emocionet ishin të forta dhe lotët nuk mund të mbaheshin më. Në një park të mbushur me fëmijë, mes zërave dhe lojërave të vogëlushëve, familjarët u prekën nga fakti se flutura ishte afruar sërish pikërisht pranë Siarit.
Ndoshta për dikë tjetër mund të jetë thjesht një rastësi e natyrës, por për një familje që po përpiqet të përballojë humbjen e një njeriu të dashur, ky moment u përjetua si një shenjë e veçantë, si një përqafim i padukshëm nga dikush që mungon, por që do të mbetet përgjithmonë në zemrat e tyre.
Eh, mor Ermal… U largove shumë herët, pa arritur të shijoje rritjen e djalit tënd. Nuk arrite ta shihje teksa hidhte hapat e parë, nuk arrite të dëgjoje zërin e tij të vogël që një ditë do të të thërriste “Baba”. Ai sapo kishte mbushur dy vjeç dhe kishte ende kaq shumë momente për të ndarë me ty.
Sot, Siari do të rritet me fotografitë, kujtimet dhe historitë që të afërmit do t’i tregojnë për të atin. Do të mësojë se sa shumë e deshe dhe se, edhe pse nuk do të të ketë pranë fizikisht, emri dhe kujtimi yt do ta shoqërojnë në çdo hap të jetës.
Për familjarët, ajo flutur e bardhë që u shfaq dy ditë rresht pranë vogëlushit mbetet një moment që nuk do ta harrojnë lehtë.
Një engjëll që viziton engjëllin e tij… Një baba që mungon në tokë, por që do të jetojë përgjithmonë në zemrën e djalit të tij. 🦋
Prehu në paqe, Ermal!




