Përplasja e dy trenave në Spanjë trondit Europën! Reagojnë von der Leyen, Macron dhe Meloni

Aksidenti i rëndë hekurudhor në provincën e Toledos, në Spanjë, ka shkaktuar reagime të shumta te liderët europianë, të cilët kanë shprehur ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Europa është në zi bashkë me familjarët e viktimave.
Edhe presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, shprehu tronditjen për tragjedinë, duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit dhe duke falënderuar ekipet e emergjencës që po punojnë në vendngjarje.
Solidaritetin me Spanjën e shprehën gjithashtu presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Kjo e fundit deklaroi se mendimet e saj dhe të gjithë qeverisë italiane janë me familjet e viktimave, të plagosurit dhe ekipet e angazhuara në operacionet e shpëtimit.
Aksidenti ndodhi pak para orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure, në zonën e Urda-s, në provincën e Toledos, në linjën hekurudhore që lidh Madridin me Seviljen.
Dy trena të shpejtësisë së lartë, një i kompanisë Renfe dhe tjetri i kompanisë Iryo, u përplasën, ndërsa dy vagonë të njërit prej trenave dolën nga shinat dhe përfunduan në një shpat.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, të paktën 64 persona kanë humbur jetën, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Në trenin Iryo ndodheshin 146 pasagjerë dhe një foshnjë, ndërsa treni i Renfe-s transportonte 397 persona.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi hekurudhor është ndërprerë në linjat që lidhin Madridin me Ciudad Realin dhe Andaluzinë.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ministrat e qeverisë, përfaqësues të opozitës dhe figura të tjera politike kanë anuluar angazhimet e tyre për shkak të tragjedisë.
Edhe fushata elektorale është pezulluar.




