Antiterrori kërkon Gent Prognin/ Delia: Kemi 3 emra të dyshuar, 17 të identifikuar… ka dhe shtetas të huaj!

Protestat e dhunshme në kryeqytet, thirrjet për akte dhune ndaj policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe mesazhet kërcënuese të shpërndara në rrjetet sociale, janë në fokus të hetimeve të autoriteteve.
Gazetarja Etleva Delia, deklaroi në një intervistë për emisionin “Tirana Live” se deri më tani janë identifikuar 17 persona të dyshuar, ndërsa pritet që hetimet të çojnë në identifikimin e personave të tjerë.
Sipas saj, mes elementeve që po verifikohen janë edhe publikimet që synonin intimidimin e punonjësve të policisë, përdorimi i mjeteve piroteknike për të krijuar kaos dhe përfshirja e shtetasve të huaj. Delia theksoi gjithashtu rëndësinë e dallimit mes personave të dyshuar për akte dhune dhe protestuesve që kanë marrë pjesë në mënyrë paqësore.
“Kemi emrat e parë të dyshuar. Gent Progni dhe Arjan Koçi, këtij të fundit i është gjetur një dokument që të prezantohej si gazetar, ndërkohë që kishte hapur dhe një GoFound Me. Kurse Gent Progni në rrjetet sociale ka postuar foto në rrjetet sociale të punonjësve të policisë, që të intimidoheshin.
Nuk duhen futur të gjithë protestuesit në një grup, duhen ndarë personat e maskuar dhe studentët e vërtetë. Para pak ditësh u zbulua një depo fishekzjarrësh që përdoreshin nga personat e dhunshëm, për të krijuar një lloj kaosi. Është gjithçka nga pak.
Edhe hetimi i sotëm i Antiterrorit, nuk dimë nëse është nga agjencitë e huaja. Janë 17 persona të identifikuar deri tani, por do të ketë më shumë se kaq, ama do të ketë persona të tjerë për t’u identifikuar. Policia ka një listë me personat që kanë bërë thirrje anti-kushtetuese. Ka pasur një shtetas amerikan, italian, por ka edhe persona të tjerë të huaj”, tha gazetarja.




